JiL.al - Jeto i Lumtur

Gjyqi penal kundër ish-Presidentit Trump, të martën argumentet

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Javën që shkoi përfundoi faza e dëgjimit të dëshmive në gjyqin penal ndaj ish-Presidentit Donald Trump i akuzuar për manipulim të të dhënave të biznesit. Gjyqi rifillon përsëri nesër më 28 maj, me paraqitjen e argumenteve mbyllëse nga prokuroria dhe avokatët mbrojtës. Pas kësaj juria tërhiqet për të marrë vendim nëse ish-presidenti do të shpallet fajtor ose jo.

Ja çfarë duhet të pritet në ditët në vijim:

ÇFARË NDODH GJATË PARAQITJES SË ARGUMENTEVE MBYLLËSE?

Duke filluar nga mëngjesi i së martës, prokurorët dhe avokatët mbrojtës do të kenë mundësinë e tyre të fundit për t’iu drejtuar jurisë në fjalimet përfundimtare që pritet të zënë pjesën më të madhe të ditës.

Argumentet përmbyllëse nuk llogariten si prova lidhur me çështjen ndaj zotit Trump i akuzuar për falsifikim të të dhënave të biznesit, me synimin për të fshehur pagesat bëra yllit të filmave pornografik, Stormy Daniels, e cila pretendon se ka patur një marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Qëllimi i argumenteve përmbyllëse është që avokatët t’u rikujtojnë anëtarëve të jurisë ato që i vlerësojnë si pika kyçe të procesit. Më pas juria do të tërhiqen për të marrë një vendim mbi çështjen.

Prokurorët pritet që t’u kujtojnë anëtarëve të jurisë se duhet t’u besojnë dokumenteve financiare që ata kanë parë dhe asaj që kanë thënë dëshmitarët, përfshirë zonjën Stormy Daniels, rrëfimi i së cilës për një takim të dyshuar seksual me zotin Trump është në qendër të çështjes. Po kështu prokuroria do t’u kujtojë atyre edhe dëshminë e ish avokatit personal të zotit Trump, Michael Cohen, i cili tha se ish Presidenti ishte i përfshirë drejtpërdrejt në dhënien e parave për të blerë heshtjen e zonjës Daniels duke miratuar pagesat.

Vlen të kujtohet se mbrojtja, e cila thirri vetëm dy dëshmitarë, por jo ish Presidentin Trump, nuk duhet të provojë asgjë ose të bindë anëtarët e jurisë për pafajësinë e zotit Trump.

Për të parandaluar një dënim, mbrojtjes i duhet thjesht të bindë të paktën një anëtarë jurie, që prokurorët nuk e kanë vërtetuar me ato që kanë ofruar si fakte, se ish presidenti është fajtor.

Pritet që mbrojtja të përpiqet të nxisë dyshime mbi argumentet e prokurorisë duke kundërshtuar dëshminë e zonjës Daniels lidhur me takimin e dyshuar seksual me zotin Trump. Ata do të bëjnë përpjekje për ta distancuar zotin Trump nga skema e pagesave prej 130,000 dollarësh që zoti Cohen i bëri aktores së filmave pornografik Stormy Daniels.

Mbrojtja gjithashtu mund të ripërsërisë qëndrimin se ish Presidenti Trump ishte më i shqetësuar të mbronte familjen e tij nga histori banale dhe jo sepse ndihej i rrezikuar se nuk do të fitonte zgjedhjet.

Mbrojtja padyshim do të sulmojë besueshmërinë e zotit Cohen, i cili është deklaruar fajtor në akuzat federale lidhur me pagesën bërë zonjës Daniels. Rezultati përfundimtar varet jo pak nga ajo sa do ta besojnë anëtarët e jurisë dëshminë e zotit Cohen.
Përpara se juria të tërhiqet për vendim, gjykatësi i çështjes Juan M. Merchan pritet të shpenzojë rreth një orë për të udhëzuar anëtarët e saj se çfarë duhet të kenë parasysh bazuar në parashikimet ligjore mbi çështjen, teksa vlerësojnë nëse ish ish-presidenti republikan është fajtor ose jo.

Prokurorët dhe avokatët mbrojtës zhvilluan një debat të ashpër javën e kaluar pa praninë e jurisë, ndërsa kërkuan të bindin gjyqtarin Merchan mbi udhëzimet që duhet të jepte.

Ekipi i zotit Trump, për shembull, kërkoi që në udhëzimet që i jepeshin jurisë, anëtarët e saj të informoheshin se pagesat që lidhem me këtë çështje nuk janë në thelb të paligjshme, një kërkesë që prokurori e quajti “tërësisht të papërshtatshme”. Nga ana e tij zoti Merchan tha se një udhëzim i tillë është i panevojshëm.

Ekipi i zotit Trump i kërkoi gjithashtu zotit Merchan të merrte parasysh natyrën “jashtëzakonisht të rëndësishme” të çështjes kur jepte udhëzimet e tij dhe t’i nxiste anëtarët e jurisë të arrinin në përfundime shumë të qarta. Prokurorët e kundërshtuan gjithashtu këtë gjë dhe zoti Merchan tha se do të ishte gabim të devijohej nga udhëzimet standarde.

“Kur thoni se është një rast shumë i rëndësishëm, më kërkoni të ndryshoj ligjin, por unë nuk do ta bëj një gjë të tillë”, tha gjyqtari Merchan.

PASI JURIA NIS SHQYRTIMIN E ÇËSHTJES

Diskutimet e anëtarëve të jurisë do të vazhdojnë në fshehtësi, në një dhomë të rezervuar posaçërisht për ta.

Ata mund të komunikojnë me gjykatën përmes shënimeve që kërkojnë nga gjyqtari, për shembull, udhëzime ligjore ose që t’u lexohen fragmente të veçanta të dëshmisë. Por pa e ditur se çfarë po i thonë anëtarët e jurisë njëri-tjetrit, do të jetë e vështirë të kuptohet shumë nga përmbajtja e këtyre shënimeve.

Askush mund ta hamendësojë se sa kohë do t’i duhet jurisë të vendosë ndërsa lidhur me këtë çështje nuk ka asnjë kufizim kohor. Jurisë i duhet të shqyrtojë 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit e për këtë shkak një vendim mund të mos dalë deri në fund të javës.

Për të marrë një vendim, qoftë fajtor ose jo fajtor, e që gjykatësi ta pranojë, duhet që të 12 anëtarët e jurisë të pajtohen e kenë një qëndrim.

Situata do të ndërlikohej nëse juria nuk të arrinte konsensus pas disa ditësh diskutimesh. Megjithëse avokatët mbrojtës mund të kërkonin menjëherë një gjyq të ri, për shkak të mungesës së vendimmarrjes, gjyqtari Merchan me gjasë do t’i bënte edhe një herë thirrje anëtarëve e jurisë që të vazhdonin përpjekjet për një vendim, duke qenë të gatshëm të rishqyrtonin qëndrimet e tyre.

Nëse edhe pas atij udhëzimi, juria nuk do të arrinte të merrte një vendim, procesi gjyqësor do të konsiderohej “i pavlefshëm”, duke i hapur rrugë një procesi gjyqësor të ri, me të njëjtat palë dhe akuza, por me një juri të re./ VOA

Scroll to Top