Dy persona kanë përfunduar në spital, pas një konflikti në rrugën “Ndre Mjeda” në kryeqytet. Nga informacionet e sotme të policisë bëhet me dije se në pranga për ngjarjen është vënë 45-vjeçari i cili ka goditur me thikë 69-vjeçarin.
“D.M, 45 vjeç, pasi në rrugën “Ndre Mjeda” gjatë një konflikti për motive të dobëta më datë 09.01.2025, rreth orës 21:05, ka goditur me një mjet prerës shtetasin B.D, 69 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë në një denoncim, lidhur me rastin thuhet se ishte 69-vjeçari, i cili quhej Bashkim i cili ka lajmëruar policinë se 45-vjeçari ishte në gjendje të dehur dhe se po e ngacmonte.
Pas lajmërimit të tij, në denoncim thuhet se efektivët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, dhe duke mos ushtruar të paktën edhe një kontroll fizik 45-vjeçarit të dehur, i kanë thënë Bashkimit se nuk mund t’i bëjnë asgjë personit tjetër përveçse ta këshillojnë.
Pasi është larguar policia, 45-vjeçari e ka goditur me thikë Bashkimin, i cili përfundoi në spital nën kujdes mjekësore. Ngjarja mund të ishte parandaluar dhe plagosja me thikë mund të ishte shmangur, për shkak se policia ishte njoftuar për rastin dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj agresorit.