Thellim i mëtejshëm i bashkëpunimit për zhvillim me Turqinë

Editor
2 Min Read

Kuvendi diskutoi sot rreth marrëveshjes së bashkëpunimit për zhvillim me Turqinë dhe caktimin e statusit juridik dhe administrativ të zyrës në Shqipëri të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se marrëveshja e bashkëpunimit bazohet në kuadrin ekzistues të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe vullnetit për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për zhvillim, me qëllim progresin ekonomik e social.

Me anë të kësaj marrëveshjeje, tha ai, palët do të bashkëpunojnë për zbatimin e projekteve dhe programeve, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm
ekonomik e social të Shqipërisë.

Fushat e paracaktuara të bashkëpunimit përfshijnë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe pylltarisë, mbrojtjen e mjedisit, agroindustrinë dhe sigurinë ushqimore, ujin dhe higjienizimin, zhvillimin rural dhe nxitjen e industrive cilësore, të mirëbazuara, përfshirëse dhe të qëndrueshme, shëndetësinë, mbështetjen për uljen e varfërisë, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen për grupet vulnerabël, arsimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e inovacionit e të teknologjisë, turizmin, bashkëpunimin në fushën detare dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale e administrative, qendrore e vendore.

Gonxhja tha se mbështetja teknike për palën shqiptare do të jepet në formën e transferimit të know-how, trajnimit të stafit, aktiviteteve konsultuese, sigurimit të pajisjeve, shërbimeve, teknologjive të reja, ndërsa asistenca financiare do të jepet në formën e granteve për mallra, materiale dhe pajisje të nevojshme për realizimin e projekteve apo shërbimeve të caktuara. Programet në kuadrin e kësaj ndihme duhet të kontribuojnë në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe të jenë në përputhje me prioritetet dhe nevojat e popullsisë në Shqipëri.

Lidhur me statusin e zyrës përfaqësuese të bashkëpunimit turk në Shqipëri, sipas ministrit, TIKA-s i njihen përjashtimet, privilegjet dhe imunitetet, bazuar në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, lidhur me mjetet e transportit, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, llogaritë bankare, interesin dhe transferimin (remitancat), vizat dhe lejet e qëndrimit për zyrtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *