
Një ngjarje e rëndë është parandaluar në kohë nga Policia e Shkodrës, pas një konflikti mes dy fqinjëve në fshatin Dobraç.
Shtetasi S. J., 41 vjeç, është arrestuar në flagrancë pasi dyshohet se ka kanosur fqinjin e tij, duke qëlluar me armë zjarri në tokë. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive ende të paqarta, por që paraprakisht konsiderohen të dobëta.
Pas marrjes së njoftimit, forcat e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme dhe mbështetur nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit.
Gjatë kontrollit, është sekuestruar arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, një pistoletë, e cila do të dërgohet për ekspertim balistik.
Ndaj shtetasit S. J. rëndojnë akuzat për “Kanosje” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.