
Avioni me linjën Bali-Melburn është detyruar që të bëjë ulje emergjente pasi një pasagjere tentoi të hapi derën e avionit. Një avion i kompanisë ajrore ‘‘Jetstar’’, me mbi 200 pasagjerë në bord, u detyrua të kthehej pasi një pasagjere tentoi të hapte derën e avionit mbi Oqeanin Indian.
Kompania ajrore konfirmoi incidentin në një deklaratë të dhënë të martën, duke sqaruar se gruaja kishte shfaqur sjellje të papranueshme dhe ishte agresive ndaj ekuipazhit. Pas uljes emergjente në Bali, autoritetet lokale e nxorën atë nga avioni.
Një video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin kur pasagjerja, e vendosur në pjesën e pasme të avionit, arriti të ngrinte dorezën e derës, por një sinjal alarmi lajmëroi në kohë ekuipazhin. Sipas të dhënave nga Flightradar24, avioni u kthye rreth një orë pas ngritjes.
Jetstar theksoi se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit është prioriteti kryesor dhe paralajmëroi se sjelljet e tilla nuk do të tolerohen. Incidenti është pjesë e një serie ngjarjesh të ngjashme që janë shtuar vitet e fundit, ku pasagjerët kanë detyruar ulje emergjente duke tentuar të hapin daljet e emergjencës ose duke sulmuar ekuipazhin.