
Policia e Lezhës ka shoqëruar dhe marrë në pyetje për disa orë Preng Gjinin, në lidhje me atentatin ndaj Pjetër Kazës, i cili u ekzekutua me 12 plumba para banesës së tij në Tale, më 1 qershor. Familjet Gjini dhe Kaza janë në konflikt gjakmarrjeje që nga viti 1994, çka i shton dyshimet se ngjarja ka motive hakmarrjeje.
Preng Gjini, i cili ka mbijetuar më herët një atentat me eksploziv, ka mohuar përfshirjen në krim dhe ka pretenduar se në momentin e ngjarjes ndodhej në Tiranë, duke paraqitur edhe prova për alibinë e tij. Megjithatë, hetuesit dyshojnë se ai dhe një kushëri i tij, aktualisht i shpallur në kërkim, mund të jenë organizatorët e atentatit.
Historia e përgjakshme mes dy fiseve nis në vitin 1994, kur në Rrëshen u vra shefi i krimeve Ndue Kaza, ndërsa përplasja e radhës ndodhi më 3 korrik 1997, kur Martin Kaza ekzekutoi vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini në qendër të Laçit. Ai u arratis dhe qëndroi për vite të tëra i fshehur në Britaninë e Madhe, derisa u ekstradua në Shqipëri në vitin 2018.