
Inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë marrë sot mostrat për të analizuar tre produkte ushqimore, që dyshohet se mund të kenë shkaktuar intoksikimin e 70 fëmijëve në kopshtin publik të qytetit të Gramshit.
Pas helmimit të rreth 70 fëmijëve në kopshtin publik të Gramshit, AKU shkuan në kopshtin në Gramsh ku morën mostra të mishit të pulës, qumështit dhe të vezëve për t’i analizuar në Tiranë.
Dyshimet e para të mjekëve dhe prindërve janë se kjo ka ndodhur nga salmonela, një bakter ky mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët.
Burime brenda spitalit thonë se simptomat janë të ngjashme me helmimin nga salmonela.
Sipas dokumenteve kopshti ka një kontratë me një operator privat për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalish
Në kuzhinën e kopshtit nuk kishte frigoriferë funksionalë për ruajtjen e produkteve të ndjeshme si mishi dhe qumështi një fakt i konstatuar edhe nga specialistë të AKU-së që kanë ndërhyrë pas incidentit.
Drejtuesit e institucionit arsimor nuk kanë pranuar të japin komente për mediat, ndërsa një njoftim i shkurtër u publikua nga Bashkia e Gramshit, ku thuhej se “po bëhen verifikimet përkatëse dhe pritet përgjigja e analizave laboratorike”.