
Tiranë, 15 korrik 2025 – Ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe institucionit të SPAK, duke pretenduar se hetimi për grabitjen e fondeve IPARD është bllokuar për qëllime politike dhe mbulim skandalesh.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se fondet e programit IPARD, të cilat ofrohen nga Bashkimi Europian për zhvillimin rural, janë shpërdoruar përpara fushatës zgjedhore, ndërkohë që hetimi është sabotuar nga “Skapi i partisë”, duke iu referuar SPAK-ut si institucion i kapur politikisht.
“Fondet e IPARD u grabitën para fushatës elektorale dhe Komisioni Europian i bllokoi tërësisht. Ajo çështje është, gjoja në hetim, por është një skandal i rëndë”, – tha Berisha.
Ai shtoi më tej se Frida Krifca, ish-ministre e Bujqësisë dhe një nga figurat kyçe në këtë skandal sipas tij, është sot një prej këshilltareve më të afërta të kryeministrit Rama. Sipas Berishës, kjo tregon se “duart e zeza të Ramës janë shtrirë mbi fondet e qytetarëve europianë”.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kritik për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE-së, pas vendimit të Komisionit Europian për të pezulluar përkohësisht programin IPARD, për shkak të dyshimeve mbi keqpërdorimin e fondeve. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se po i trajton këto fonde si pjesë të buxhetit të shtetit, duke fshehur natyrën e tyre të huaj dhe të kushtëzuar me standarde integriteti.
SPAK nuk ka reaguar ende në lidhje me këto akuza, ndërsa opinioni publik dhe partnerët ndërkombëtarë mbeten në pritje të rezultateve konkrete nga hetimet për skandalin e fondeve IPARD.