
Specialistët e Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë vunë në pranga në flagrancë A. S., 25 vjeç, banues në Kosovë, i dyshuar për vjedhjen e një shume prej 1400 eurosh nga automjeti i një pushuesi, ngjarje kjo që ka ndodhur më 26 korrik 2025 në plazhin e “Porto Palermos”.
Nga hetimet intensive ka rezultuar se i riu ka kryer këtë vjedhje në bashkëpunim me një person tjetër, i cili aktualisht ndodhet në kërkim nga autoritetet. Policia ka sekuestruar shumën e vjedhur si dhe automjetin tip Volkswagen, që dyshohet se është përdorur për kryerjen e kësaj vjedhjeje, të cilat janë marrë si prova materiale në procesin hetimor.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Policia vijon operacionet për kapjen e personit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje, në mënyrë që të zbardhet plotësisht rasti dhe të përfundojë me dënimin e autorëve.
Kjo ngjarje është një tjetër sinjal i rëndësishëm për nevojën e rritjes së sigurisë në zonat turistike, ku shfrytëzimi i pushuesve me vjedhje mbetet problem shqetësues për komunitetin dhe autoritetet lokale.