
Librazhd, 11 Tetor 2025 – Një çift turistësh nga Zvicra humbi orientimin gjatë një ecjeje në natyrë në zonën e mbrojtur të Shebenikut, por fatmirësisht u gjetën dhe ndihmuan në kohë nga autoritetet shqiptare.
Sipas njoftimit zyrtar, Salla Operative e Komisariatit të Policisë Librazhd u informua se turistët kishin humbur rrugën gjatë eksplorimit të malit në anën e Hotolishtit. Menjëherë u organizua një operacion kërkimi në bashkëpunim me punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan.
Pas disa orësh lëvizje në terren të vështirë malor, forcat e ndërhyrjes arritën të lokalizojnë turistët, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse njëri prej tyre kishte pësuar një dëmtim të lehtë në këmbë. Turistët falënderuan efektivët e policisë dhe punonjësit e parkut për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin, duke theksuar ndjenjën e sigurisë që përjetuan në Shqipëri.