
Altin Luli, një nga emrat më të njohur dhe të respektuar në fushën e startup-eve dhe tregtisë elektronike në Shqipëri, ka humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor të ndodhur të hënën në aksin Shkodër-Lezhë. Viktima, 47 vjeç, po udhëtonte me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur kur automjeti i tyre u përplas me një kamion.
Luli, djali i pedagogut të njohur Fran Luli nga Shkodra, ishte një nga themeluesit e parë të ekosistemit të startup-eve në vend. Ai u bë i njohur në vitet e para të zhvillimit të tregtisë online në Shqipëri, përmes krijimit të platformës “Dyqan Taxi”, një ndër iniciativat më inovative të kohës.
Gjatë karrierës së tij mbi 25-vjeçare, Altin Luli ndërtoi dhe udhëhoqi projekte të rëndësishme në sektorin e teknologjisë dhe e-commerce, si Beba.al – platformë për nënat dhe fëmijët – dhe Bukinist.al, një librari online që sot konsiderohet si një nga më të mëdhatë në vend për botime të çdo lloji.
Ai ishte gjithashtu themelues dhe drejtues i kompanive NetTrade Albania dhe CodeVider, të cilat operonin në fushën e zhvillimit të tregtisë elektronike dhe zgjidhjeve teknologjike.
Në rrjetet sociale, kolegë, bashkëpunëtorë dhe figura të ekosistemit digjital shqiptar kanë shprehur dhimbjen dhe respektin për kontributin e Altin Lulit. Themeluesi i “Patoko”, Arbër Kadia, u shpreh:
“Një forcë pioniere pas një prej startup-eve të para në Shqipëri, Altini ishte më shumë sesa një mendje teknologjike – ai ishte një vizionar që e kuptonte vlerën e njerëzve shumë kohë para produktit.”
Altin Luli la pas një trashëgimi të çmuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri, si dhe një ndikim të pashlyeshëm për brezat e rinj të sipërmarrësve digjitalë.