
Tiranë, 21 maj 2025 – Banka e Shqipërisë ka zyrtarizuar vendimin për vendosjen e kufijve të rinj në kreditimin për blerje banese, i cili do të nisë zbatimin nga 1 korriku 2025, për kreditë e reja për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, bankat do të kufizojnë raportin kredi ndaj vlerës (LTV) dhe shërbimi i borxhit ndaj të ardhurave (DSTI) sipas monedhës dhe qëllimit të banesës:
Kufijtë e rinj për kreditë në Lekë: Shtëpia e parë: LTV deri në 85%, DSTI deri në 40%
Shtëpia e dytë: LTV deri në 80%, DSTI deri në 35%
Kufijtë për kreditë në valutë të huaj: Shtëpia e parë: LTV deri në 75%, DSTI deri në 35%
Shtëpia e dytë: LTV deri në 70%, DSTI deri në 30%
Banka e Shqipërisë sqaron se për llogaritjen e borxhit total të kredimarrësit do të përfshihen të gjitha detyrimet e tij në sistemin financiar, përfshirë dhe çdo borxh tjetër të konfirmuar nga burime të besueshme, qoftë përmes komunikimit me klientin, qoftë përmes verifikimeve në bazat e të dhënave përkatëse.
Qëllimi: Menaxhim më i mirë i rrezikut Ky vendim synon të rrisë qëndrueshmërinë financiare, duke kufizuar rrezikun e mbingarkesës me borxh nga individët, sidomos në kushtet e një mjedisi ekonomik të pasigurt. BSH thekson se masat e reja do të ndihmojnë në uljen e mundësisë së dështimit të pagesave nga kredimarrësit, si dhe në mbrojtjen e bankave nga humbje të mundshme në rast rënieje të çmimeve të pasurive të paluajtshme apo përkeqësimi të kushteve makroekonomike. Përjashtime të kufizuara Megjithatë, bankave u lejohet një kuotë përjashtimi deri në 15% të totalit të kredive të reja tremujore, për raste të veçanta që mund të kalojnë kufijtë e mësipërm. Brenda kësaj kuote mund të përfshihen edhe lehtësitë e rifinancimit të dhëna gjatë tremujorit për kredi ekzistuese.
Të gjitha kreditë që përfshihen në kuotën e përjashtimit duhet të identifikohen qartë dhe të raportohen veçmas në raportimet periodike të bankave ndaj Bankës së Shqipërisë. Afat maksimal i maturimit Në vijim të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë rekomandon që afati maksimal i maturimit të kredisë, pavarësisht monedhës, të mos i kalojë 30 vjet ose periudhën deri në pension të kredimarrësit – duke marrë si kufi më të ulët nga këto dy.