
Altin Morina, një ish-punonjës i Policisë së Shtetit, rezulton ndër emrat e përfshirë në mega-operacionin “Ura”, sipas dosjes së fundit të siguruar nga autoritetet hetimore. Ai dyshohet për bashkëpunim me grupe kriminale, duke u kthyer sërish në vëmendje për aktivitet të paligjshëm.
Morina ishte arrestuar më 4 prill 2025 nga SPAK, për një tjetër çështje penale, por hetimet e reja zbulojnë një përfshirje të re në një rast të ndarë nga ai i mëparshmi.
Operacioni “Ura”, i ndërmarrë nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet italiane dhe strukturat vendore të rendit, ka shënjestruar një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Përfshirja e ish-efektivëve të policisë si Morina, sipas burimeve, e rëndon më tej situatën, duke shtuar dyshimet për mbështetje të strukturave shtetërore ndaj veprimtarisë kriminale.