
Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama mbetën të plagosur pas një sulmi me armë zjarri në lagjen nr. 4. Policia po heton për autorin
SARANDË – Janë identifikuar dy të rinjtë që mbetën të plagosur pas një ngjarjeje me armë zjarri të ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës. Burime zyrtare bëjnë me dije se bëhet fjalë për shtetasit Gëzim Hajdaraj, 32 vjeç, dhe Ernest Lama, 24 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në rrethana ende të paqarta. Dy të plagosurit janë transportuar fillimisht në spitalin rajonal të Sarandës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas janë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, është vënë në punë për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonë dhe po mbledh dëshmi nga banorët e lagjes, ndërkohë që pritet një deklaratë më e zgjeruar nga autoritetet në orët në vijim. /noa.al