Ilir Proda zgjidhet drejtues i SEPCA

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zgjidhet president i SEPCA-s (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore).

“Ju siguroj për angazhimin tim maksimal në krye të SEPCA-s dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar për të punuar bashkërisht duke thelluar më shumë bashkëpunimin e deritanishëm. Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision: luftë pa kompromis krimit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendeve tona. Te Policia e Shtetit Shqiptar do të gjeni angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe besueshmëri për të zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta. Pjesëmarrja e presidentit të Interpolit dhe përfaqësuesve të tjerë të agjencive ligjzbatuese është tregues i mbështetjes dhe besimit që ata kanë te puna jonë, dhe kjo na obligon për të ecur përpara, duke korrigjuar ato që s’kemi bërë mirë dhe duke ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar e goditur krimet globale që kërcënojnë mbarë botën, me qëllim që të mundësojmë sundimin e ligjit dhe krijimin e një ambienti sa më të pasigurt për ata që shkelin ligjin”, tha Proda në një mesazh.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të SEPCA-s, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutonin mbi situatën aktuale dhe rolin rajonal të SEPCA-s në luftën kundër kontrabandimit të qenieve njerëzore dhe trafikimit të emigrantëve, sinergjitë rajonale në luftën kundër krimit kibernetik, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit operacional rajonal në luftën kundër të gjitha fenomeneve kriminale që prekin vendet e rajonit të SEPCA-s, rritjen e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve, si edhe mbi rëndësinë dhe vlerësimin e rolit të grave në radhët e Policisë.

Në përfundim të këtij aktiviteti, u zhvillua edhe ceremonia e marrjes së presidencës së SEPCA-s nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do ta mbajë postin e Presidentit të SEPCA-s deri në muajin dhjetor të vitit 2025.

Drejtori i Përgjithshëm, përgjatë asamblesë, zhvilloi takime të shumta me homologët e SEPCA-s dhe përfaqësuesit e agjencive ligjzbatuese, të cilët i garantoi për angazhimin dhe vendosmërinë e tij dhe të Policisë së Shtetit për të forcuar bashkëpunimin në interes të sundimit të ligjit.

Asambleja e Përgjithshme e SEPCA-s (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore) u mbajt në Beograd. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë të vendeve anëtare të SEPCA-s dhe Koordinatorët Kombëtarë të saj.

Të ftuar në këtë aktivitet ishin edhe Presidenti i Interpolit, Gjeneral Major Dr. Ahmed Naser Al Raisi, Ministri i Brendshëm i Republikës së Serbisë, Zoti Ivica Dacic, përfaqësues të OSBE-së, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Europolit, Cepolit, B.K. Austriak, Projektit EU4FAST, etj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Scroll to Top