Irani arreston 20 persona si të dyshuar për spiunazh në favor të Izraelit

Jil
Jil
2 Min Read

Teheran- Irani i ka arrestuar 20 njerëz për të cilët dyshon se janë operativë të agjencisë së spiunazhit të Izraelit, Mossad, gjatë muajve të fundit, njoftoi të shtunën gjyqësori iranian. Të mërkurën, Irani ekzekutoi një shkencëtar bërthamor me emrin Rouzbeh Vadi, i cili u dënua për spiunazh për Izraelin dhe për ndarjen e të dhënave me një tjetër shkencëtar bërthamor, i vrarë gjatë sulmeve ajrore të Izraelit ndaj Iranit në qershor, raportuan mediat shtetërore.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Asghar Jahangiri, u tha gazetarëve në Teheran të shtunën se akuzat ndaj disa prej 20 të arrestuarve janë hedhur poshtë dhe ata janë liruar, por nuk tregoi sa prej tyre saktësisht.

“Gjyqësori nuk do të tregojë asnjë mëshirë ndaj spiunëve dhe agjentëve të regjimit sionist, dhe me vendime të forta do t’i bëjë shembull për të gjithë”, citohet të ketë thënë Jahangiri nga mediat iraniane.

Ai tha se hollësitë e plota do të bëhen të ditura sapo të përfundojnë hetimet. Ekzekutimi i iranianëve të dënuar për spiunazh për Izraelin është rritur ndjeshëm këtë vit, pasi në muajt e fundit janë kryer të paktën tetë ekzekutime.

Izraeli kreu 12 ditë sulme ajrore ndaj Iranit në qershor, duke shënjestruar gjeneralët më të lartë, shkencëtarët bërthamorë, objektet bërthamore, si dhe lagjet e banuara. Irani u kundërpërgjigj me një breshëri raketash dhe dronësh ndaj Izraelit.

Grupi për të drejtat e njeriut, HRANA, raportoi për 1.190 viktima iraniane gjatë 12 ditëve të sulmeve izraelite, përfshirë 436 civilë dhe 435 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Autoritetet izraelite thanë se 28 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmit hakmarrës të Iranit./ REL

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania