Ish-kryebashkiaku i Lezhës arratiset pas dënimit nga Apeli

Editor
2 Min Read

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, i cili u dënua të hënën me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO, raportohet të jetë arratisur për t’iu shmangur arrestimit.

Burime bëjnë me dije se pasi SPAK nxori urdhrin për ekzekutimin e dënimit me 2 vite e 8 muaj burg, ish-zyrtari i lartë nuk është gjetur në banesën e tij nga autoritetet.

Sipas informacioneve dhe verifikimeve të Prokurorisë së Posaçme në sistemin TIMS, Frrokaj ndodhet ende në territorin e Shqipërisë. Vijojnë kërkimet për gjetjen e tij dhe zbatimin e vendimit të gjykatës.

Ish-zyrtari vendor u gjet fajtor për shpërdorim detyre në lidhje me tjetërsimin e pronave në zonën e njohur si Rana e Hedhun. Frrokaj u dënua nga shkalla e parë me 1 vit e 4 muaj burg, ndërsa Apeli e dënoi me 2 vite e 8 muaj heqje lirie.

Përveç Frrokajt, gjykata ndryshoi vendimin edhe për Bledar Carën, të cilin shkalla e parë e kishte liruar nga akuzat. Apeli e dënoi atë me 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Po ashtu, për Juxhina Memën u dha i njëjti vendim, por dënimi me burg u pezullua dhe u caktua shërbim prove për 5 vitet e ardhshme.

Një sipërfaqe toke prej 66 mijë metrash katrorë në zonën e Ranës së Hedhun u konfiskua dhe kaloi për llogari të shtetit. Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje, me vlerë rreth 13 milionë euro, nisën në vitin 2019. Nga hetimi ka rezultuar se punonjës të administratës së ish-Komunës Shënkoll, mes të cilëve dhe Fran Frrokaj, i cili ishte kryetar i komunës në atë periudhë, kanë favorizuar regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.

Frrokaj është dënuar edhe nga Gjykata e Shkodrës, gjithashtu për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin. Ai u lirua nga qelia pak kohë më parë pasi përfitoi nga amnistia, por tashmë do të rikthehet në burg për të vuajtur dënimin e ri.

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *