
Një incident i rrezikshëm është shënuar në aksin kombëtar Elbasan–Tuneli i Kërrabës–Tiranë, pranë fshatit Dopaj, ku një automjet është përfshirë nga flakët teksa ishte në lëvizje.
Sipas burimeve paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur në pjesën e përparme të mjetit, duke detyruar drejtuesin të ndalojë menjëherë dhe të largohet në kohë. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar. Mjeti është përfshirë thuajse plotësisht nga flakët, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe patrullat e policisë mbërritën me shpejtësi në vendngjarje.
Ata arritën të neutralizojnë zjarrin dhe të sigurojnë zonën, duke shmangur çdo rrezik për mjetet e tjera që qarkullonin në atë moment.
Dyshohet se shkak i zjarrit mund të ketë qenë një defekt teknik në sistemin elektrik të automjetit, por hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e ngjarjes.