Arrestohet në Greqi një shqiptar pjesë e një organizate kriminale e cila merrej me kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Mësohet se 38-vjeçari nga Skrapari, Foti Llambris katër muajt e fundit së bashku me disa bashkëpunëtorë të tjerë shqiptarë kanë ngritur, kultivuar dhe mbikëqyrur bimët e kanabisit, me qëllim prodhimin e një sasie të konsiderueshme dhe më pas shpërndarjen dhe shitjen e tij.
Bëhet me dije se shqiptarët kishin mbjellur 812 bimë të cilat si pasojë u sekuestruan. Sipas mediave greke organizata kriminale do të kishte përfitime monetare, të vlerësuara deri në 1 milion euro.
Nga përfundimi i operacionit të Policisë greke janë gjetur dhe sekuestruar këto objekte: bimët e kanabisit, 2 lente, 1 telefon celular, dylbi, radio marrëse, panele diellore, pajisje kultivimi, shumat monetare 100 euro dhe 1500 lekë shqiptare, si dhe një automjet.
Llambris do të dërgohet në Prokurorinë Penale të Qiparisisë, ndërsa hetimet policore dhe hetimet paraprake kryhen nga Prokuroria e Narkotikëve pranë Nëndrejtorit të Sigurisë Kalamata.