Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se po sulmojnë gjerësisht objektivat e Hezbollahut në zonën e Bejrutit. Izraeli ka kryer sot sulme që mendohet se mund të konsiderohen si vala më e madhe e sulmeve ajrore në periferitë jugore të Bejrutit, pak përpara se kabineti izraelit i sigurisë të diskutojë sot një armëpushim të mundshëm me Hezbollahun, shkruan BBC.
Sulmet e shumta goditën Dahieh, zonën ku është vendosur Hezbollahu në kryeqytet, dhe erdhën pasi ushtria izraelite lëshoi paralajmërime evakuimi për 20 ndërtesa. Pamjet e transmetuara në televizionet lokale treguan një pamje dramatike të shtëllungave të shumta tymi që ngriheshin nga zona. Rreth 30 minuta më parë, një sulm ajror goditi Nuweiri, në qendër të Bejrutit, pa paralajmërim, gjë që tregon një atentat të mundshëm. Nuk ka asnjë koment nga ushtria izraelite.
Të paktën një ndërtesë u shemb, ndërkohë tre persona janë vrarë dhe më shumë se 20 të tjerë janë plagosur, sipas ministrisë libaneze të shëndetësisë. Ky përshkallëzim ndodh vetëm disa orë përpara se të shpallet një armëpushim. Izraeli ka kryer gjithashtu sulme në jug të vendit, ndërsa Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit.
Hezbollahu, i cili e kontrollon Libanin jugor, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Ndër çështjet kryesore që kanë penguar marrëveshjen ka qenë kërkesa e Izraelit për ta pasur të drejtën për të vepruar, nëse Hezbollah i shkel detyrimet e tij.
Sipas propozimit, mijëra trupa libaneze dhe paqeruajtës të OKB-së do të vendoseshin në jug, dhe një panel ndërkombëtar i kryesuar nga Shtetet e Bashkuara do ta mbikëqyrte zbatimin e marrëveshjes nga të gjitha palët. Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha se ushtria do ta sulmojë Hezbollahun nëse forca paqeruajtëse e OKB-së, e njohur si UNIFIL, nuk ofron “zbatim efektiv” të marrëveshjes.
Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu një vit më parë kur grupi i mbështetur nga Irani filloi të hidhte raketa në veri të Izraelit në mbështetje të grupit militant palestinez Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në fillim të luftës në Gaza.
Në muajt e fundit, konflikti është përshkallëzuar, pasi Izraeli është duke e bombarduar pareshtur jugun e Libanit, periferitë jugore të Bejrutit dhe Luginën Beka, duke vrarë shumë nga udhëheqësit kryesorë të Hezbollahut dhe duke dërguar trupa tokësore përtej kufirit. Nga ana e tij, Hezbollah ka hedhur raketa më thellë brenda Izraelit.
Operacioni i zgjeruar i Izraelit i ka zhvendosur më shumë se 1.2 milion njerëz, sipas qeverisë libaneze, e cila thotë se më shumë se 3.760 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10.000 janë plagosur gjatë një viti luftimesh. Raketat e Hezbollahut kanë vrarë të paktën 50 njerëz në Izrael, më shumë se gjysma e tyre civilë, sipas autoriteteve izraelite.