Të gjitha fluturimet në një nga aeroportet më të mëdha të Gjermanisë janë ndaluar për shkak të mobilizimit të një organizate mjedisore.
Konkretisht, pesë anëtarë të organizatës Last Generation organizuan një protestë në pistën e aeroportit të Këlnit, duke ngjitur duart në pistë dhe duke bllokuar ngritjet dhe uljet e fluturimeve.
Të paktën katër fluturime u devijuan në aeroportet e afërta të Duseldorfit dhe Hanoverit. Ndërsa dhjetëra fluturime nga aeroporti i Këlnit janë anuluar ose do të vonohen.
Qëllimi i aktivistëve është që qeveria gjermane të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare që do t’i japë fund përdorimit të naftës, gazit natyror dhe qymyrit deri në vitin 2030.
Sipas organizatës, “protesta të ngjashme paqësore, politike në aeroporte” janë planifikuar për të mërkurën në të gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut.
Në maj, aeroporti i Mynihut u “mbyll” për dy orë pas një proteste të ngjashme.
Tetë persona u arrestuan ndërsa protesta shkaktoi kaos në aeroport, me zyrtarët që anuluan të paktën gjashtëdhjetë fluturime.