
Himarë, 29 qershor 2025 – Një 41-vjeçar i dënuar për disa vepra të rënda penale është kapur dhe vënë në pranga në Qeparo të Himarës, në një operacion të koordinuar nga Forca e Posaçme Operacionale e Policisë së Shtetit dhe DVP Elbasan.
I arrestuari është Ervis Çela, banues në Peqin, i shpallur në kërkim për llogari të drejtësisë shqiptare, pasi Gjykata e Elbasanit ka njohur vendimin e dhënë nga Gjykata italiane, që e ka dënuar me 21 vjet burgim. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 11 muaj e 16 ditë.
Çela është dënuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë: “Vrasja me paramendim” në bashkëpunim, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” (mbetur në tentativë), “Kanosja për të mos kallëzuar”, “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Pas lokalizimit të tij në zonën bregdetare të Qeparosë, strukturat e hetimit ekzekutuan urdhrin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan. Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme ligjore.
