
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë flet mbi “kuadrin e Londrës” Kinë-ShBA
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë iu përgjigj në një konferencë shtypi të premten në Pekin pyetjeve mbi “kuadrin e Londrës”, të arritur ndërmjet Kinës dhe ShBA-së.
Një gazetar pyeti se cili është komenti i Ministrisë së Tregtisë të Kinës për deklaratat e bëra kohët e fundit nga zyrtarët dhe mediet amerikane që Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një mirëkuptim shtesë mbi kuadrin për zbatimin e konsensusit të Gjenevës. Sipas tyre, Kina do të përshpejtojë eksportin e mineraleve të rralla në Shtetet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara do të anulojnë masat përkatëse kufizuese kundër Kinës në përputhje me rrethanat.
Në përgjigjen e tij, zëdhënësi tha se, të udhëhequr nga konsensusi i udhëheqësve të të vendeve, ekipet ekonomike e tregtare të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara zhvilluan bisedime ekonomike e tregtare në Londër nga 9 deri në 10 qershor dhe arritën një marrëveshje në parim mbi kuadrin për zbatimin e konsensusit të rëndësishëm të arritur nga udhëheqësit e të dy vendeve më 5 qershor dhe konsolidimin e rezultateve të bisedimeve ekonomike dhe tregtare të Gjenevës. Pas bisedimeve të Londrës, ekipet e Kinës dhe Shteteve të Bashkuara mbajtën komunikim të ngushtë. Kohët e fundit, me miratim, të dy palët konfirmuan më tej detajet e kuadrit. Kina do të miratojë kërkesat për eksport të artikujve të kontrolluar që plotësojnë kushtet në përputhje me ligjin. Shtetet e Bashkuara do të anulojnë një sërë masash kufizuese të marra kundër Kinës në përputhje me rrethanat.
“Shpresojmë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të ecin në të njëjtin drejtim, në përputhje me konsensusin dhe kërkesat e rëndësishme të arritura nga të dy krerët e shtetit gjatë bisedimeve të tyre telefonike më 5 qershor, do të shfrytëzojnë më tej rolin e mekanizmit të konsultimeve ekonomike e tregtare dypalëshe, do të forcojnë vazhdimisht konsensusin, do të zvogëlojnë keqkuptimet, do të shtojnë bashkëpunimin dhe do të promovojnë së bashku zhvillimin e shëndetshëm, të qëndrueshëm e të vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kinës e Shteteve të Bashkuara,” theksoi zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë.