Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e gjyqtarit të njohur

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Në seancën e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Besnik Hoxha. Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi parashtrimet e palëve dhe i ftoi ata të përgatisnin konkluzionet përfundimtare. Komisioneri kërkoi shkarkimin e Hoxhës, ndërsa ky i fundit kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisioneri Publik këmbënguli të mërkurën në shkaqet e ankimit ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës Besnik Hoxha. Në seancën e parë për shqyrtimin e ankimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Hoxhës, duke arsyetuar se ai nuk arrinte nivel të besueshëm.

“Kërkojmë që shkaqet parashtruara në ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të gjykimit të çështjes, të vendosë: – Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.5.2023, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Hoxha”, tha Ballhysa.

Në krahun tjetër avokatja Romina Zano, e cila lexoi qëndrimet e Hoxhës para Kolegjit, këmbënguli në lënien në fuqi të vendimit, duke thënë se pretendimet e Komisionerit Publik nuk bazoheshin në fakte dhe prova.

Duke iu referuar vendimit të KPK-së Zano tha se ai duhej të qëndronte në fuqi. “Është i drejtë dhe i bazuar në ligj, dhe për kёtё arsye kërkoj nga Kolegji i Pavaruar i Kualifikimit lënien në fuqi të kёtij vendimi”, u shpreh avokatja e Hoxhës.

Hoxha, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash një vit më parë në KPK, është i njohur si një nga anëtarët e trupës që gjykoi çështjen dhe u dha pafajësi gardistëve të akuzuar për vrasjet në protestën e 21 janarit. Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën, u kundërshtua nga Operacioni i Vëzhguesve Ndërkombëtar dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit.

Gjatë leximit të parashtrimeve Ballhysa i qëndroi asaj që kishte paraqitur në ankim. Ai këmbënguli se sa i përket pasurisë Hoxha kishte bërë deklarim të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe se ishte “përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në fjalë dhe interesat e vërteta pasurore të tij”.

Scroll to Top