Gjyqtarja në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka është vendosur së fundmi në qendër të akuzave, nga mediat greke pasi sipas tyre rezulton e shpallur non-grata nga Greqia për falsifikim dokumentash.
Në artikujt e publikuar nga mediat e vendit fqinj, rezulton se gjyqtarja Gjoka është shpallur “non grata” nga Greqia pasi ka tentuar disa herë që të kalojë kufirin me identitete të ndryshme. Sipas po të njëjtave burime thuhet se në 2002, Gjoka ka përdorur një vizë të falsifikuar konsullore, përsa i përket afatit dhe duke u përpjekur të paraqitej si vorio epiriote. Pas këtij akti, gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka i është ndaluar hyrja për 10 vite në shtetin grek për arsye s igurie. Ndërkohë në formularin e saj të vetëdeklarimit, gjyqtarja Irena Gjoka e ka mohuar që ndaj saj të kishte pasur ndonjë dëbim.
Por në një përgjigje të kërkesës për informim të dërguar nga Lapsi.al, drejtori i Koordinimit Institucional, Kostaq Beluri ka pranuar se për gjykatësen Irena Gjoka “ka nisur një hetim i thelluar” në datën 8 Maj, që përfshin edhe dërgimin e kërkesës së dokumentave përkatëse në vendet e BE, në SHBA, Kanada dhe Australi.
Në kërkesën e dërguar është pyetur nëse janë dërguar letër-porosi në lidhje me një dënim për dëbimin e Irena Gjokës nga vendet e zonës Shengen, dhe në përgjigje, Prokuroria e Përgjithshme ka pranuar se kërkesa i është drejtuar autoriteteve gjyqësore përkatëse, por se “ende nuk është marrë përgjigje për kërkesën”.