JiL.al - Jeto i Lumtur

Kurti: Kosova do vazhdojë të blejë pajisje ushtarake nga Turqia

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë pritur në takim Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, me të cilin biseduan për bashkëpunim në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Kurti fillimisht i ka shprehur falënderimin e tij presidentit të agjencisë turke të Industrisë së Mbrojtjes për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas njoftimit nga Kryeministria e Kosovës, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të vendit.

Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.

Në takimin e përbashkët te kryeministri, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci kishte takim të veçantë me Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun.

Maqedonci, këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, duke thënë se kanë diskutuar për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes në mes dy vendeve.

“Në Ministrinë e Mbrojtjes sot kisha nderin ta pres Presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun. Në këtë takim miqësor me z. Gorgun dhe ekipin e tij diskutuam për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes në mes dy vendeve tona. Investimi në industrinë e mbrojtjes është njëra nga fushat për të cilën kemi diskutuar gjatë takimit dhe të cilës ne jemi duke i kushtuar vëmendje të veçantë”, ka thënë Maqedonci.

Scroll to Top