Kosova vendos masa të reja sanksionuese ndaj Rusisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit të këtij viti të mbajtur sot ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e Vendimit të saj numër 18/208 të datës 13 qershor të vitit 2024 për zbatim të sanksioneve ndërkombëtare nga ana e Republikës së Kosovës në raport me obligimet ndërkombëtare ndaj individëve dhe entiteteve të ndërlidhura apo përgjegjëse për veprime që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës.

Kryeministri Kurti ka thënë se në përputhje me vendimet zbatuese të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe në harmoni me qëndrimet e saj rreth bashkërendimit për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë, rekomandohet aprovimi i masave të reja të Republikës së Kosovës.

Lidhur me masat e ndërmarra, ka folur zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.

Ajo ka paraqitur masa shtesë, të cilat synojnë të forcojnë masat ekzistues, si dhe të parandalojnë shmangien e tyre, duke përfshirë:

Zgjerimin e Listës së personave dhe entiteteve të Sanksionuara, me çka nënkuptohen individë dhe organizatave të reja të lidhura me aktivitetet ushtarake dhe destabilizuese të Rusisë; Kufizime të reja si ndalimi i eksporteve të teknologjisë së avancuar dhe mallrave që kanë impakt në kapacitetet industriale dhe ushtarake të Rusisë, si dhe ndalimi i importeve”, ka thënë Gashi.

Masa kundër shmangies së sanksioneve me qëllim të parandalimit të praktikave që synojnë anashkalimin e sanksioneve ekzistuese; Sanksione në sektorin e Gazit të lëngshëm natyror; Masa kundër rreth 50 anijeve që Rusia përdor për të anashkaluar kufizimet në transportin e naftës dhe karburanteve”, është shprehur ajo.

Tutje Gashi ka thënë se vendimi është në linjë me angazhimet ndërkombëtare të Kosovës si vazhdimësi e harmonizimit të politikave të Republikës së Kosovës me ato të partnerëve tanë strategjik.

Duke miratuar këto masa, sipas Gashit vendi ynë riafirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe rendit ndërkombëtar, si një partner i besueshëm në përpjekjet e botës së lirë për të ndalur agresionin rus dhe për të promovuar paqen dhe lirinë në Evropë.

Scroll to Top