Trupat e KFOR-it janë tërhequr nga pozicionet e tyre afër ndërtesës së komunës së Zveçanit, pas vlerësimit të tyre se gjendja është stabilizuar.
E mediat lokale veçse kanë publikuar pamje të zonës, nga ku dhe para ndërtesës së komunës së Zveçanit, aktualisht duket e pozicionuar një autoblindë e njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Siç shkruan Kontakt Plus, aty shihen edhe disa automjete të policisë me patrullime të rregullta që raportohet të jenë ende në fuqi
REAGON KFOR-I
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përmes një deklarate për media ka thënë se gjendja në komunën e Zveçanit është stabilizuar.
Si rezultat i kësaj, njësitë nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit të KFOR-it nuk do të jenë më të pranishme në ndërtesën e komunës.
“Në vend të kësaj, ata do të qëndrojnë në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në komunën e Zveçanit”, theksohet në deklaratën e KFOR-it.
Ky mision i NATO-s tutje ka theksuar se vazhdon të zbatojë mandatin e tij për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”, theksohet tutje në deklaratë.