Kreu i Policisë Greke letër Prodës, kërkon takim mes tyre

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda priti sot në një takim Klaros Evangelos, Oficer Ndërlidhës i Policisë Greke në Shqipëri, i cili i i dorëzoi letrën e urimit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke Gjeneral Lejtnant Dimitrios Mallios për emërimin e Tij në detyrë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Gjeneral Lejtnant Dimitrios Malliois, nëpërmjet letrës së urimit ka ri-konfirmuar marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit mes palëve, si edhe gatishmërinë për t’i forcuar më tej këto marrëdhënie, me synim forcimin e sigurisë për qytetarët e të dy vendeve.

Drejtor Mallios ka shprehur dëshirën dhe dhe vullnetin për realizimin e një takimi në nivel Drejtorësh të Përgjithshëm të Policive të të dy vendeve për të diskutuar çështjet në interes dypalësh.
Gjatë takimit mes Drejtorit të Përgjithshëm Proda dhe Oficerit Ndërlidhës të Policisë Greke në Shqipëri Klaros Evangelos është nënvizuar se bashkëpunimi mes palëve ka qenë në nivele shumë të mira, duke shkëmbyer informacione mbi persona apo grupe të përfshira në veprimtari kriminale që veprojnë në të dy territoret, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike, krimet kundër pronës, lokalizimin dhe arrestimin e personave në kërkim ndërkombëtar, etj.

Kapiten Klaros Evangelos është caktuar në detyrën e Oficerit Ndërlidhës të Policisë Greke në Shqipëri në muajin Gusht 2024.

Policia e Shtetit në njoftimin për mediat ndau dhe letrën e plotë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Greke, Gjeneral Lejtnant Dimitrios Mallios drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda.

I nderuar zotëri,
Me rastin e marrjes së detyrës tuaj të re, më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta dhe t’ju uroj me gjithë zemër në përmbushjen e kësaj detyre të vështirë që po ndërmerrni, detyrë të cilën besoj se do ta kryeni me sukses, me ndjenjën e veçantë të përgjegjësisë që posedoni.

Në këtë kontekst, kam besim se do të eksplorojmë mundësi të reja për ta forcuar bashkëpunimin tonë tashmë ekzistues, në fusha me interes të përbashkët.
Unë jam i gatshëm të takohem me Ju së shpejti dhe të diskutojmë çështje të rëndësishme.

Ju lutemi pranoni garancitë e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht juaji,
Gjeneral Lietnant
Dimitrios Mallios

Scroll to Top