
Policia e Krujës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave në kërkim. Në kuadër të operacionit të koduar “Inside”, është bërë arrestimi i shtetasit Lulzim Kullaj, 43 vjeç, banues në Krujë.
Kapja e tij u bë pas veprimeve të mirëorganizuara dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.
Sipas njoftimit zyrtar, ndaj Kullajt ishte dhënë një vendim dënimi nga Gjykata e Tiranës, më datë 9 shkurt 2023, ku ai ishte dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.
Materialet procedurale pas arrestimit të tij i janë referuar tashmë Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore.