
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë në “Euronews Albania”, duke lidhur zhdukjen e Ervis Martinajt me përplasjen e tij me pushtetin.
Sipas Hoxhës, fundi i “mbretit të lojërave të fatit” erdhi pasi ai u konfliktua drejtpërdrejt me kryeministrin Edi Rama, pas angazhimit të tij në mbështetje të opozitës gjatë një fushate elektorale.
“Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat raste. Ai tha publikisht se e dinte kush ishte drejtori i lojërave të fatit dhe madje ‘i dinte targën’. Kjo ndodhi pas përfshirjes së Ervis Martinajt në fushatë në mbështetje të opozitës, dhe prandaj Rama e etiketoi,” – deklaroi Hoxha.
Sakaq, Artan Hoxha nënvizoi asnjë nga personat e këtij grupi kriminal nuk janë arrestuar deri më tani ndësa shtoi se s’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.
“Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme.
Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar.
Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.“-tha Hoxha.