
Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka nisur javën me rënie dhe ka arritur një minimum të ri historik.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të hënën me 97.93 lekë, niveli më i ulët i shënuar ndonjëherë.
Agjentët e këmbimit valutor mendojnë se rënia e Euros është e lidhur me prurjet e mëdha valutore të këmbyera gjatë fundjavës.
Fundjava e kaluar solli një fluks i lartë vizitorësh të huaj, kryesisht nga vendet fqinje.
Me nisjen e sezonit veror dhe me rritjen e temperaturave, ka nisur edhe rritja e fluksit të vizitorëve në bregdetin shqiptar gjatë fundjavave.
Gjithashtu, një ndikim shtesë vlerësohet se mund të ketë pasur edhe ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi, që solli drejt vendit tonë një numër të madh të vizitorëve nga Kosova.
Në fakt, rënia e kursit të këmbimit ndodhi kryesisht gjatë fundjavës, duke përfshirë edhe të premten, që ishte ditë pushimi zyrtar. Madje, në ditët e fundjavës kursi mesatar ishte edhe më i ulët, duke qenë se zyrat e këmbimit valutor aplikuan kurs edhe më të ulët në blerje të valutës.
Të hënën, kursi në blerje shënoi një korrektim në rritje, por gjithsesi tendenca e fundjavës u reflektua në kursin zyrtar, në një minimum të ri historik.
Edhe këtë vit kursi i këmbimit Euro-Lek po shfaq sërish një përsëri rënëse, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit. Agjentët mendojnë se këto presione do të jenë të pranishme gjatë gjithë verës.
Një tendencë e tillë u vërejt qartë edhe vitin e kaluar, kur Banka e Shqipërisë ndërhyri duke kryer blerje të mëdha të valutës, për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të Lekut. Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024, në vlerën më të lartë historike.
Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka e Shqipërisë i rifilloi blerjet përsëri në muajin maj dhe është e pritshme që ato të vazhdojnë gjatë muajve të verës. Për sa kohë që inflacioni ndodhet poshtë objektivit prej 3%, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë mund të justifikohet nga ky këndvështrim.
Megjithatë, në muajt e fundit po vërehet një tendencë e lehtë në rritje e inflacionit, që në prill arriti në 2.3%. Një pjesë e mirë e artikujve të konsumit duket se po shtrenjtohen përsëri dhe kërkesa në rritje që gjeneron sezoni turistik mund t’i japë vijimësi rritjes së çmimeve.