
Avokati i njohur penalist Sokol Hazizaj e ka cilësuar “të rrezikshëm dhe absurd” draftin e ri të Kodit Penal që po diskutohet në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai deklaron se ky draft është një përzierje e përkthimeve të keqkuptuara dhe kopjimeve pa kriter nga ligje të tjera, që nuk reflektojnë realitetin shqiptar.
Sipas Hazizajt, ky Kod i ri rikthen idetë dhe frymën e diktaturës së viteve 1945, me dispozita që penalizojnë sjellje të zakonshme dhe fusin qytetarët në burg për shkelje që s’duhet të jenë as kundërvajtje. Ai e quan projektin “qesharak”, ku dënimi me burg është vendosur si zgjidhje universale për çdo situatë – nga falimentimi civil e deri te parkimi gabim apo shprehja e mendimit në publik.
“Ky draft nuk e kufizon lirinë, e burgos atë”, – u shpreh Hazizaj, duke shtuar se çdo përpjekje për përmirësim të ligjeve duhet të bazohet në analizë reale të kriminalitetit dhe jo në kopjim të verbër.