
Është finalizuar në Laç një operacion policor që çoi në arrestimin e një shtetasi 40-vjeçar nga Lezha, i cili kishte përdorur katër identitete të ndryshme. Ai akuzohet për një sërë veprash penale të kryera në Spanjë dhe është ndaluar me qëllim ekstradimin.
I arrestuari njihej me emrat Gjergj Gjoka, Gjergj Marku, Gjergj Ruqja dhe Gjergi Ruqja. Për të, Gjykata e Instruksionit nr. 1 në Castellon de la Plana kishte lëshuar masën e sigurisë “arrest në burg” në vitin 2025, për veprat penale: “Krime kundër shëndetit publik/Kultivim i bimëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”.
Sipas dosjes hetimore, 40-vjeçari ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me role të ndara mes anëtarëve. Ata siguronin ambiente, i merrnin me qira dhe i përshtatnin për kultivimin e drogës, duke instaluar pajisje të posaçme për këtë qëllim.
Në Spanjë, gjatë kontrolleve të kryera më herët, janë zbuluar dy ambiente të mëdha të përshtatura për kultivim narkotikësh: një në Oropesa dhe një tjetër në Cabanes.