
SHBA – Në një intervistë që po bën xhiron e botës, Lionel Messi ka folur hapur për marrëdhënien e tij me rivalin e përjetshëm, Cristiano Ronaldo. Dy gjigantët e futbollit botëror, që kanë ndarë skenën për mbi një dekadë, sipas argjentinasit, nuk janë miq, por kjo nuk ka të bëjë aspak me ndonjë armiqësi mes tyre.
“Nuk jemi miq sepse nuk kalojmë kohë bashkë,” pranoi Messi për DSports. “Por ka gjithmonë shumë respekt dhe admirim mes nesh. E respektoj jashtë mase Cristiano-n për gjithçka që ka arritur dhe për faktin që vazhdon të konkurrojë në nivelet më të larta.”
Përtej rivalitetit që ka elektrizuar botën e futbollit, sidomos në kohën kur Messi dhe Ronaldo ndanin fushat e La Ligës, ai si lider i Barcelonës dhe CR7 si ‘yll’ i Real Madridit, marrëdhënia e tyre ka mbetur gjithmonë sportive dhe e ndërtuar mbi respekt. “Gjithçka ka mbetur në fushë. Jashtë saj, jemi dy njerëz normalë,” shtoi Messi.
Sot, të dy ikonat ndodhen në skena të ndryshme: Messi shkëlqen në MLS me Inter Miamin, ndërsa Ronaldo vijon të thyejë rekorde në Arabinë Saudite me Al-Nassr. Megjithëse tifozët vazhdojnë të ëndërrojnë një ribashkim të tyre në të njëjtën skuadër para se të varin këpucët, kjo mbetet thjesht një dëshirë e largët.
Ndërkohë, historia e tyre e përbashkët vazhdon të frymëzojë: 13 Topa të Artë, qindra rekorde dhe një trashëgimi që do të mbetet e përjetshme. Messi, që mbush 38 vjeç këtë javë, dhe Ronaldo, që në moshën 40-vjeçare ndjek ëndrrën e 1000 golave, janë ende shembulli i përjetshëm i madhështisë në futboll.