JiL.al - Jeto i Lumtur

Makina përplas gjashtë këmbësor dy prej tyre humbin jetën

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Një aksident i rëndë është regjistruar në Itali, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur gjashtë këmbësor, ndërsa dy kanë humbur jetën.

Ngjarja ka ndodhur në Lido di Camaiore të Italisë. Drejtuesja e  një automjeti, 44-vjeçare, pasi ka përplasur dy këmbësorët, 18 dhe 19 vjeç, ka goditur edhe këmbësorë të tjerë, më pas u përplas me semaforin në kryqëzimin me rrugën bregdetare të Lido di Camaiore dhe në fund me një makinë të parkuar.

Siç shkruajnë mediat italiane, dy të rinjtë që humbën jetën, në moshën 18 dhe 19 vjeç ishin turistë në Itali. Ata ishin me origjinë nga Gjermania. Studentët ishin me pushime në Versilia me një grup studentësh nga Duisburgu. Katër personat e tjerë të plagosur ishin gjithashtu të huaj, tre me kombësi franceze dhe një gjerman.

E plagosur ngeli edhe pasagjerja që ndodhej në makinë. Dy prej të plagosurëve u transferuan në spitalin Massa, pasi ndodhen në gjendje të rëndë për jetën.

Drejtuesja e mjetit ndodhet në “arrest shtëpie” në banesën e saj në Viareggio me akuzën “vrasje e dyfishtë”, ndërsa testi i alkoolit rezultoi negative.

Në momentin që 44-vjeçarja ka dalë nga makina pas aksidentit është shprehur se nuk vuri re asgjë.

“Nuk isha unë, nuk ishte faji im, nuk vura re asgjë”, tha ajo.

Mediat italiane shkruajnë se do të japë dëshminë e saj edhe pasagjerja që ndodhej në makinë me 44-vjeçaren. Personat që panë nga afër ngjarjen janë tronditur nga ky aksident.

“Ne menduam se ishte një sulm. Ajo makinë po udhëtonte me shpejtësi marramendëse.Skena të tmerrshme, nuk do të mund t’i harrojmë kurrë. Dhe ajo gruaja pas timonit që thoshte se nuk kishte bërë asgjë. Është absurd”, u shpreh njëri nga dëshmitarët.

Ndërkohë në qytetin e Camaiore, dita e sotme u shpall ditë zie, zyrat e bashkisë u ndalën në orën 12 për një minutë heshtje, duke ftuar gjithashtu aktivitetet dhe të gjithë komunitetin të bëjnë të njëjtën gjë.

Scroll to Top