JiL.al - Jeto i Lumtur

Malet më të larta të Shqipërisë

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

-Një listë me malet mbi 2000 m në Shqipëri. Malet duhen parë si mundësi për zhvillimin e turizmit malor-

Nga Dr. Adriatik Balla

Po ju njohim me listën e maleve mbi 2000 m në Republikën e Shqipërisë. Të dhënat i kemi nxjerrë nga hartat (planshetat) topografike me shkallë 1:25000. Për Alpet e Shqipërisë kemi marrë si përfaqësues Jezercën, pasi në Alpe ka 15 maja me kuotë mbi 2500 m, mbi 20 maja me kuotë mbi 2400 m, mbi 30 maja me kuotë mbi 2300 m e mbi 50 kuota të tjera mbi 2200 m. E njëjta gjë vlen për sektorin më të lartë të Korabit, ku ka 4 maja (kuota) mbi 2700 m, gati 10 kuota mbi 2600 m, e 15 kuota të tjera mbi 2500 m. Për të bërë dallimin kemi nxjerrë listat B dhe C. Kemi bërë një përjashtim, duke futur në listë Shkëlzenin, pjesë e Alpeve Lindore, por nën 2500 m. E futëm në këtë listë për emrin e madh dhe madhështinë që ai krijon mbi gropën e Tropojës, me lartësi relative mbi 2000 m. Le të jetë kjo listë malesh një mundësi njohjeje mbi vendndodhjen e tyre dhe, njëherësh, këto male të shërbejnë si sfida për alpinistët vendas e të huaj, por edhe turistët e shumtë që e kanë vizituar Shqipërinë gjatë viteve të fundit e që pritet të shtohen vit pas viti.

Sot është fakt: Alpet e Shqipërisë po “pushtohen” nga turistët, sidomos Jezerca. Po ashtu Korabi ka qenë një destinacion i mrekullueshëm e spektakolar i guidave turistike, sikurse dhe malet e mrekullueshëm në jug të vendit si Gramozi, Nëmërçka, Tomori, Këndrevica, Çika, Shebeniku mali i Thatë etj, male që mbajnë brenda tyre edhe mjaft forma e objekte natyrore me vlera të rralla të peizazhit, ndaj dhe turizmi malor në Shqipëri do të vijë duke u fuqizuar. Pra, malet e Shqipërisë janë një potencial i madh turistik. Duhet vetëm që të evitohen ndotjet dhe të ruhen sa më shumë pyjet. Malet janë njëherësh krenari e natyrës tonë, mbajtëse e mineraleve të shumta, liqeneve akullnajore, kullotave alpine, florës dhe faunës së larmishme, etj.

Lista A – Malet mbi 2000 m në Shqipëri

1. Maja e Korabit 2754 m (vargu i Korabit, Dibër)
2. Maja e Jezercës 2692 m (Alpet, Shkodër)
3. Maja e Qukapeçit (Çuka e Peçit) e Gramozit, 2523 m (Kolonjë)
4. Maja e Gjallicës, 2485 m (Kukës)
5. Maja e Dritës ose Papingut në malin e Nemërçkës 2485 m (Për met)
6. Maja “Partizani”, mali i Tomorit, 2416 m (Berat)
7. Shkëlzeni, 2405 m (Tropojë)
8. Maja e Pikëllimës, mali i Koritnikut, 2392 m (Kukës)
9. Maja Çuka e Faqekuqit, mali i Ostrovicës, 2383 m (Korçë)
10. Kulla e Zyberit (vargu verior i Korabit), 2377 m (Dibër-Kukës)

11. Maja e Valamarës, 2373 m (Gramsh)
12. Velivar (vargu Korab-Deshat) 2372 m (Dibër)
13. Grama (vargu i Korabit) 2345 m (Dibër)
14. Kërçina (vargu Korab-Deshat) 2342 (Dibër)
15. Maja (pllaja) e Pusit, Mali i Thatë, 2288 m (Pogradec)
16. Maja e Rreshpes, Shebenik, 2261 m (Librazhd)
17. Maja e Zezë, Gollobordë, 2255 m (Librazhd)
18. Maja e Dejës (vargmalet e Lurës), 2245 m (Mat)
19. Maja e Corokolit (Serakol), 2201 m (Dibër)
20. Maja e Kulmakut 2174 m (qarku Berat)
21. Maja e Frëngut, 2174 m (qarku Korçë).
22. Maja e Kallabakut (vargu Kallabak-Tërfojë), 2171 m (Kukës)
23. Maja e Lalucit, mali i Lunxhërisë, 2155 m (Gjirokastër)

24. Maja e Jablanicës, 2136 m (Përrenjas)
25. Maja e Këndrevicës, mali i Gribës, 2122 m (Tepelenë)
26. Guri i Topit (vargu Shpat-Polis-Lenie) 2122 m (Pogradec)
27. Kunora e Lurës (vargmalet e Lurës), 2120 m (Dibër)
28. Maja e Tërfojës (vargu Kallabak-Tërfojë), 2104 m (Kukës)
29. Maja e Kreshtës, mali i Balgjait (vargjet Lurës), 2101 m (Bulqizë)
30. Guri i Zi (vargu Shpat-Polis-Lenie) 2072 m (Pogradec)
31. Kolesjan, 2051 m (Kukës)
32. Dhëmbel, 2050 m (Përmet)
33. Runja e Peshkopisë, 2047 m (Dibër)
34. Maja e Çikës, (Malet Bregdetare), 2045 m (Vlorë)
35. Maja e malit të Mietës, 2024 m, Maliq.
36. Dhoksi, malësia e Martaneshit, 2020 m (Bulqizë)
37. Çuka e Bofnjës, malësia e Voskopojës, 2005 m (qarku Korçë)

Lista B – Majat (kuotat) mbi 2600 m të bllokut qendror të malit të Korabit

1. Korabi 1 – 2754 m
2. Korabi 2 – 2751 m
3. Portat e Korabit – 2727 m
4. Korabi mbi Panair – 2718 m
5. Piramida 4/I – 2692 m
6. Piramida 5/II – 2691 m
7. Piramida 6 – 2682 m
8. Piramida 4/II – 2660 m
9. Piramida 6/I – 2658 m
10. Piramida 5/IV – 2625 m

Lista C – Majat (kuotat) malore mbi 2500 m në Alpet e Shqipërisë

1. Jezerca – 2692 m
2. Grykat e Hapta – 2625 m
3. Maja e Popluqes – 2569 m
4. Maja e Radohimës – 2568 m
5. Maja e Hekurave – 2560 m
6. Maja e Kollatës – 2553 m
7. Maja e Madhe – 2552 m
8. Maja e Thatë – 2541 m

9. Maja e Gusanit – 2538 m
10. Maja e Brijasit – 2529 m
11. Maja “Ismet Sali Brucaj” – 2527 m
12. Maja e Kollatës së Keqe – 2523 m
13. Maja e Roshit – 2523 m
14. Maja e Gavnit – 2509 m
15. Maja e Kokërhanës – 2500 m

Scroll to Top