TIRANA- Pak ditë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani dhe pasi u fol për nismën për një diskutim me prindërit për rrjetet sociale TikTok dhe SnapChat kryeministri Edi Rama bashkë me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu kanë nisur konsultimin në gjimnazin “Sami Frashëri”.
Manastirliu ka folur konkretisht për rastin e vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani, duke deklaruar se është një ngjarje e rëndë dhe se duhet reflektuar për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandalues kundër çdo lloj dhune. Ajo tha se ka një nevojë të madhe që bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit të forcohet.
“Na duhet një bashkëpunim dhe intensifikim i komunikim të mëtejshëm me prindërit, që jeni faktor përcaktues që fëmijët të kenë të gjithë potencialin. Sot jemi me një pjesë të Këshillit Kombëtarë të Prindërve që është funksionale, me këshillin e prindërve të Tiranës. Kemi nisur këtë tur të komunikimit publik për të diskutuar për të gjithë proceset edukative dhe instrumentet e parandalimit që duhet ti fuqizojmë sidomos për fenomenet e dhunës kibernetike.
Ngjarja e ndodhur disa ditë më parë është tragjike, që na ka shqetësuar të gjithëve si prindër, si qytetarë dhe padyshim si strukturë e ministrisë së Arsimit. Është një moment për të reflektuar edhe për të fuqizuar në mënyrë të vazhdueshme instrumentet parandalues, që ne i kemi të ngritura, kundër çdo lloj forme dhune.
Mos harrojmë që kemi sot në të gjithë sistemin tonë arsimor rreth 850 psikologë dhe punonjës social, janë aty për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë. Prej 2018, kemi vendosur që shkollat të kenë edhe oficer të sigurisë dhe kemi arritur që sot të kemi 240 të tillë dhe do të vijmë ta rrisim. Kemi protokolle pune për oficerët e sigurisë, punonjësit sociale dhe mbi të gjitha për sistemin e referimit për çdolloj ngjarje apo incidenti që duhet referuar. Kemi edhe të gjithë informacionin i cili bazohet në fakte që këto struktura janë funksionale.
Ka një nevojë të madhe që bashkëpunimi mes shkollës, familjes dhe komunitetit të forcohet. Është një nevojë që ky trinom të rrisë dhe intensifikojë komunikimin. Sigurisht që familja nuk është shkolla, por shkolla nuk mund të bëhet institucion i vetëm që operon”, tha ajo.