
Kryeministri Edi Rama, në fjalimin e tij përpara ekipit politik të Partisë Socialiste, iu drejtua edhe atyre deputetëve që nuk do të jenë pjesë e Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit, duke i inkurajuar të shohin situatën si një mundësi për zhvillim personal dhe profesional.
Ai tha se e mirëkupton mërzinë e tyre për “humbjen në një garë individuale”, por theksoi se çdo garë, madje edhe ajo me fëmijët, sjell emocione të tilla kur e kupton se nuk je më i pari.
“Dua t’u them atyre që në shtator nuk do kthehen në Parlament se e mirëkuptoj ndjesinë e pakëndshme që sjell mospërfshirja. Por nëse ata do ta shohin këtë jo si një humbje, por si një mundësi të re për të kontribuar ndryshe në të njëjtat qëllime, do të jenë të dobishëm dhe do të pasurojnë karrierën e tyre politike dhe profesionale,” tha Rama.