Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., para bashkisë së qytetit, në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri automatik kallashnikov, shtetasit Shyqyri Kalemi, 74 vjeç, Marsel Çela, 47 vjeç dhe Gledio Muka, 36 vjeç.
Po ashtu ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Një nga viktimat, Shyqyri Kalemi, është babai i Andrea Kalemit, kushëririt të Aleksandër Sadikajt i vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022. Andrea Kalemi dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor 2022.
Dy viktimat e tjera të moshës 36 dhe 47 vjeç, ishin kamarieri dhe një klient i lokalit.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë.
Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nderkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër.
Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.