JiL.al - Jeto i Lumtur

Denaj: Mbështetje shtesë prej 500 milionë lekësh për fermerët

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj deklaroi sot se përmes Aktit Normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit për vitin 2024 sigurohet një mbështetje shtesë prej 500 milionë lekësh për fermerët.

“Janë 500 milionë lekë shtesë në programin “Zhvillimi rural” që do të krijojë iniciativë për rritjen e investimeve në sektorin e bujqësisë nëpërmjet Skemës Kombëtare për Investime. Është një mundësi për të gjithë fermerët dhe blegtorët shqiptare të cilët me skemën e re të mbështetjes/grand për investime, do të realizojnë rritjen e prodhimit, agropërpunimit si edhe rritjen e eksporteve”, tha Denaj.

Ministrja iu përgjigj edhe akuzave të opozitës, teksa theksoi se përgjatë 7 muajve janar-korrik, eksportet janë rritur me 22 % drejt vendeve të Bashkimit Europian”, tha ajo.

Ministrja informoi edhe për projektvendimin që po përgatitet për propozim për aprovim në mbledhjen e rradhës së Qeverisë, parashikohet të shtohen grupmasat e investimeve në fermë.

Konkretisht, ndërtimi i serrave diellore, rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në pemë frutore, agrume dhe vreshta, për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, për mekanikë bujqësore, konkretisht për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e rendimentit të punës dhe uljen e kostove të prodhimit, si dhe mbështetje për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut dhe rrjetat”, tha Denaj.

“Për të gjitha masat e mësipërme, do të jetë një skemë e mirëpërcaktuar që AZHBR do ta nxjerrë për publikim në javët në vijim. Aplikimi do të jetë nëpërmjet portalit”, tha ministrja.

“Një komponent shumë i rëndësishëm, që ndikon drejtpërdrejt, vijoi ajo, shkon për programin buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit” ku përfitohen shtesë 70 milionë lekë, me qëllim realizimin në një përqindje më të lartë të Planeve Kombëtare të Monitorimit të Mbetjeve dhe Planit të Monitorimit dhe Mbrojtjes së Shëndetit të Bimëve”.

Qeveria, theksoi Denaj, ka rritur investimet këtë vit në aspekt të përmirësimit të infrastrukturës laboratorike me 25% më shumë buxhet se buxheti i vitit të shkuar.

“Nuk duhet lënë pa përmendur këtu mbështetjen e BB-së në masën 20 milionë euro të investimeve në sistemin laboratorik, duke siguruar një sistem efektiv dhe në kohë të garantimit të çdo produkti që hyn në vendin tonë”, u shpreh ministrja.

Më tej, ajo thekso se janë 400 milion lekë, fonde të cilat do të rialokohen nga fondet e lira, për programin “Infrastruktura e ujitjes dhe kullimit”, konkretisht një shtesë me 200 milionë lekë për objektet e bashkive dhe një shtesë me 200 milionë lekë për objektet e drejtorive të ujitjes dhe kullimit.

Scroll to Top