GREQI- Një tjetër tragjedi me tetë emigrantë ka ndodhur në zonën detare në veri të ishullit grek të Samos, në Egjeun Lindor. Mësohet se një gomone me emigrantë është mbytur në zonon shkëmbore të Shën Antonit dhe deri tani pas një operacioni që është duke u zhvilluar nën koordinimin e Qendrës së Bashkuar Koordinuese të Kërkimit dhe Shpëtimit janë gjetur trupat e pajetë të 6 fëmijëve dhe dy grave, ndërsa 36 emigrantë të tjerë janë shpëtuar.
Gjithashtu ende nuk dihet numri i saktë i personave në bordin e gomones që është nisur nga brigjet turke, ndërsa në zonë mbizotëronte mot i keq dhe deti ishte mbi 5 ballë. Po ashtu në operacion marrin pjesë dy anije shpëtimi dhe një mjet mjet lundrues i Rojës Bregdetare greke, një avion dhe një helikopter.
Muajt e fundit vihet re një rritje e fluksit të emigrantëve nga brigjet turke drejt Greqisë. Sipas shifrave që publikon shtypi grek numri i emigrantëve që ndodhen tek qëndrat e pritjes në të gjithë vendin ka shkuar nga 17.000 në 28.000, me një trend rritës. Kapaciteti total është 34,000, por në ishujt e Egjeut lindor tashmë kjo rritje ka shkuar në 130% ,sepse nuk ka pasur dërgime të emigrantëve drejt kontinentit europian ,pasi nuk po funksionon siç duhet procesi i azilit.
Pa procedurat për azil, refugjatët do të mbeten në Greqi dhe nuk mund të udhëtojnë në vendet e BE-së ku duan të shkojnë -theksojnë mediat greke. Sipas të dhënave nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët UNHCR nga fillimi i vitit e deri tani rreth 54,000 emigrantë kanë mbërritur në Greqi, nga brigjet turke, numri i dytë më i madh në Evropën Jugore pas Italisë.