
Lezhë, 6 gusht 2025 – Një 23-vjeçar është ndëshkuar me masë administrative prej 50 000 lekësh, pasi u kap duke drejtuar një automjet tip “G-Class” në brezin e rërës së plazhit të Vainit, duke vënë në rrezik sigurinë e pushuesve.
Ndërhyrja e Policisë Rrugore të Lezhës erdhi menjëherë pas publikimit të një videoje në portalin “JOQ Albania”, ku shfaqej automjeti luksoz duke lëvizur në vijën bregdetare, në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor dhe në dëm të rendit dhe sigurisë publike.
Pas verifikimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi dhe shoqërimi në komisariat i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë. Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u ndëshkua për shkeljen e neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor, që ndalojnë qarkullimin e mjeteve motorike në hapësira të pambuluara nga rrjeti rrugor dhe në zona të ndaluara për qarkullim.
Policia e Lezhës falënderon qytetarët dhe median për bashkëpunimin në evidentimin e shkeljeve të tilla, duke ftuar qytetarët të vijojnë të denoncojnë çdo rast të ngjashëm. Strukturat policore garantojnë se reagimi ndaj shkeljeve do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe në përputhje të plotë me ligjin.tbebegim