Meloni zotohet për “rinisjen” e bashkëpunimit me Kinën

Editor
2 Min Read

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u zotua se do të “rinisë” bashkëpunimin me Kinën, pasi nënshkroi një plan veprimi 3-vjeçar gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Pekin që kur ka marrë postin e kryeministres.

Meloni, që udhëheq Qeverinë e krahut të djathtë që nga viti 2022, e bëri këtë njoftim gjatë takimit me kryeministrin kinez, Li Qiang, teksa Roma po synon të përmirësojë raportet tregtare me Pekinin pasi u largua nga Nisma kineze “Brezi dhe Rruga” vitin e kaluar. Kjo nismë, që ka në thelb investimet në infrastrukturë është projekti kryesor i presidentit kinez, Xi Jinping.

Liderja italiane tha se vizita pesëditore “demonstron vullnetin për të nisur një fazë të re, për të rinisur bashkëpunimin tonë dypalësh”. Plani i veprimit, që u nënshkrua gjatë vizitës, synon që të gjenden forma të reja të bashkëpunimit, tha ajo.

Memorandumi për bashkëpunim industrial i nënshkruar nga Italia dhe Kina “përfshin sektorët strategjikë të industrisë, sikurse lëvizshmëria elektrike dhe burimet e ripërtërishme”, tha Meloni.

Meloni, e cila i sheh investimet kineze si mënyrë për të nxitur rritjen ekonomike të Italisë, gjatë vizitës do të takohet edhe me Xinë dhe ligjvënësin më të lartë në Kinë, Zhao Leji, i cili është i treti në hierarikën e udhëheqjes.

Më 2019, Italia u bë shteti i vetëm i Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) që iu bashkua nismës “Brezi dhe Rruga”, por u tërhoq nga kjo nismë vitin e kaluar.

Kina është partnerja më e madhe tregtare e Romës – jashtë shteteve të Bashkimit Evropian – pas Shteteve të Bashkuara. /REL

Share This Article
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: J.i.L.al
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *