
Një punonjës i OSSH-së është arrestuar nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se ka marrë para për të favorizuar një subjekt privat.
Bëhet me dije se ka përfunduar në pranga edhe një 42-vjeçar, i cili ishte me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, pasi ka shoqëruar shtetasin gjatë aktit korruptiv. Në kuadër të këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 100 euro, 2 celularë dhe 1 automjet.\
“Në kuadër të hetimeve të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “MATËSI”.
Si rezultat i operacionit u arrestua për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, shtetasi: M. S., 35 vjeç, me detyrë shef ekipi për lexuesit e matësave të energjisë elektrike, pranë OSSH Vlorë.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë 100 euro nga një subjekt privat, me qëllim favorizimin për pagesën e energjisë elektrike, nëpërmjet ndërhyrjes në aparatin matës”, njofton policia.