
Remo Freuler i Bologna, duke folur për “Gazzetta dello Sport”, ka komentuar zërat për një Milan me rotacion në ndeshjen e ardhshme: “Lexoj dhe dëgjoj që Milani do ta neglizhojë pak këtë ndeshje. Megjithjatë, jo, nuk e besoj fare”.
Dhe ka të drejtë. Sipas edicionit të sotëm të gazetës në fjalë, Sergio Conceição nuk do të bëjë ndryshime të mëdha. Trajneri portugez beson se përgatitja më e mirë për finalen e Kupës së Italisë është një fitore ndaj Bologna. Prandaj, formacioni kuqezi do të jetë pothuajse ai standard, përjashtuar mungesat e Leão (i pezulluar) dhe Fofana (i dëmtuar).
Milani do të rreshtohet me të zakonshmin 3-4-3, që i ka sjellë ekuilibër skuadrës, me Tomori, Gabbia dhe Pavlovic para portierit Maignan. Qëllimi është i qartë: asnjë rënie përqendrimi, të ndiqet kualifikimi në Europë edhe përmes kampionatit, edhe pse Kupa e Italisë mbetet rruga më e shkurtër drejt “Europa League”.
E vetmja dilemë reale është në sulm. Jovic, që po rikuperohet nga një problem në shpinë, sfidohet nga Gimenez, i cili ka qenë vendimtar në dy ndeshjet e fundit me gol dhe asist. Në krahët e tyre do luajnë Pulisic dhe Joao Felix, ky i fundit i preferuar si zëvendësues i Leãos, pas paraqitjes së mirë ndaj Genoa.
Conceiçao nuk dëshiron të ketë pengje, objektivi është t’i fitojë tri ndeshjet e fundit në Serie A dhe të mbërrijë në finalen e Romës me moral të lartë. Mesazhi është i qartë: pa eksperimente, ky Milan ka nevojë për vazhdimësi dhe besim.