DISA NGA MIRЁSITЁ E RAMAZANIT
Nga Ebu Hurejra (r.a.) përcillet se Pejgamberi (a.s.) ka thёnё: “Kur hyn muaji i ramazanit, hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e Zjarrit, kurse shejtanёt lidhen me pranga”.[1]
Sipas njё transmetimi tjetёr, Profeti (a.s.) ka thënë: “Kur hyn nata e parё e ramazanit, lidhen me zinxhirё shejtanёt dhe xhindёt agresivë, mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk hapet asnjё prej tyre, hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllet asnjё prej tyre, ndërsa njё zë thёrret: “O ju që doni tё mirёn, ejani! O ju që kërkoni të bëni të këqija, hiqni dorë!” Allahu liron robër nga Zjarri, dhe kjo ndodh çdo natё (të ramazanit).”[2]
Kuptimi i thënies: “O ju që doni tё mirёn, ejani!” ёshtё: “O ju që doni tё mirёn, ejani pёr tё kryer vepra tё mira, sepse kjo ёshtё koha juaj, kur shpёrbleheni shumë me pak punё. Ndërsa ju të tjerët, që kërkoni të bëni të këqija, ndaluni dhe pendohuni, sepse kjo ёshtё koha e pendimit.[3]
Sipas një hadithi tjetёr, Pejgamberi (a.s.) ka pёrgёzuar shokёt e tij: “Ju erdhi ramazani, një muaj i begatë. Allahu e ka bёrё detyrë agjёrimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanёt më agresivë. Allahu ka bёrё njё natё nё tё, e cila ёshtё mё e mirё se njё mijё muaj. Kush privohet nga mirёsia e kёsaj nate, me tё vёrtetё ёshtё privuar nga njё mirёsi e madhe”.[4]
Nga Ebu Hurejra ose Ebu Seidi (Allahu qoftё i kёnaqur me tё dy!) përcillet se Pejgamberi (a.s.) ka thёnё: “Me tё vёrtetё, Allahu liron robёr nga Zjarri çdo ditё dhe çdo natё dhe secilit nga kёta robër i pranohet një lutje (nga Allahu)”.[5]
Nga Xhabiri (r.a.) përcillet se Pejgamberi (a.s.) ka thёnё: “Me tё vёrtetё, Allahu liron robër nga Zjarri nё çdo kohë iftari, dhe kjo ndodh çdo natё”.[6]
Mësime dhe dispozita
1- Hadithet e mёsipёrme tregojnё mirёsinё e muajit tё ramazanit, nё tё cilin ndodhin ngjarje tё mёdha si; hapja e dyerve tё Xhenetit, mbyllja e dyerve tё Zjarrit dhe prangosja e shejtanёve. Këto ndodhin natёn e parё tё ramazanit dhe vazhdojnë deri nё fund të tij.
2- Hadithi i parë tregon se Xheneti dhe Xhehenemi janё tashmë tё krijuar dhe se hapja dhe mbyllja e dyerve tё tyre ndodh realisht.[7]
3- Kohët e volitshme për ibadet dhe veprat e mira qё bёhen nё to janё shkak pёr tё fituar kёnaqёsinë e Allahut, si rezultat i së cilës hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e Zjarrit.
4- Pёrgёzimi dhe urimi pёr ardhjen e ramazanit është i ligjshëm në fe. Pejgamberi (a.s.) pёrmendte avantazhet e ramazanit, si përgëzim për shokët e tij, por dhe pёr t’i shtyrё të bënin sa më tepër punё tё mira. Të njëjtin gjykim ka dhe përgëzim për çdo të mirë.
5- Shejtanёt agresivë qëndrojnë të lidhur nё ramazan, prandaj ndikimi i tyre mbi njerëzit është i dobët gjatë këtij muaji. Shkaku i kësaj janë punët e mirë që kryejnë njerëzit gjatë këtij muaji.
6- Është mirёsia e Allahut ndaj robёrve tё Tij që ua mbron agjёrimin njerëzve, duke dobësuar ndikimin e xhindёve agresivë, nё mёnyrё qё tё mos ua prishin adhurimin nё kёtё muaj tё begatё.[8]
7- Hadithet dëshmojnë për ekzistencёn e shejtanёve, të cilët kanё trupa, qё mund tё lidhen me pranga. Disa prej tyre janë agresivë qё prangosen gjatë muajit të ramazanit.[9]
8- Mirësitë e posaçme të ramazanit i pёrfitojnё vetëm besimtarёt, tё cilёt e nderojnë ramazanin duke kryer gjatë tij detyrimet qё u ka caktuar Allahu. Ndёrsa për jobesimtarёt, tё cilёt nuk e respektojnë shenjtёrinё e tij, për ta nuk hapen dyert e Xhenetit dhe nuk mbyllen dyert e Zjarrit. Për jobesimtarët nuk lidhen shejtanёt dhe nuk ka çlirim nga Zjarri.[10] Kёshtu qё, nëse ata vdesin nё ramazan ose edhe jashtё tij, do të marrin dёnimin e merituar të Zotit.
9- Për sa u përket atyre që u pёrngjajnë jobesimtarëve nё shkeljen e shenjtёrisё sё ramazanit, duke mos agjёruar ose duke ia ulur vlerën atij me vepra të tilla si: pёrgojimi, thashethemet, gënjeshtrat, dёshmitë e rreme etj., ekziston droja se mund t’iu humbasin mirёsitë e posaçme të këtij muaji. Ndoshta të tillë njerëzve iu mbyllen dyert e Xhenetit, iu hapen dyert e Zjarrit dhe shejtanёt e tyre qëndrojnë të lirë.
10- Çështja e hapjes së dyerve tё Xhenetit dhe e mbylljes së dyerve tё Xhehenemit nё ramazan nuk bie në kundёrshtim me thënien e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet ka kthim të mirë, në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta” [Sad, 49-50], pasi kjo nuk tregon që këto dyer qëndrojnë gjithnjë tё hapura. Madje, ky ajet flet konkretisht pёr Ditёn e Gjykimit. Gjithashtu, nuk ka asnjë mospërputhje as me fjalёn e Allahut nё lidhje me Xhehenemin: “…kur të arrijnë atje, dyert e tij do të hapen…” [Zumer, 71], sepse dyert e Xhehenemit mund tё jenë mbyllur edhe herë tjetër më parë.[11]
11- Mirësia e Natёs sё Kadrit, e cila ёshtё mё e mirё se njё mijё muaj pa Natё Kadri, prandaj kush e humb atё, ёshtё i privuar nga njё mirёsi e madhe.
12- Allahu i Lartësuar liron robër nga zjarri i Xhehenemit çdo natё të ramazanit. Njerёzit qё e meritojnё së pari shpëtimin nga Zjarri janё ata tё cilёt e kryejnë agjërimin pa cen, falen natёn nё formёn mё tё mirё, i shtojnё veprat e mira me dashuri pёr Zotin, duke shpresuar nё shpёrblimin e Tij dhe duke u frikёsuar nga dёnimi i Tij.
13- Njerёzit qё lirohen nga zjarri i Xhehenemit kanё lutje tё pranuara tek Allahu i Lartmadhërishёm. Në këtë mënyrë, Allahu u jep njëherësh dy shpёrblime madhështore, qё janё shpëtimi nga Zjarri dhe pranimi i lutjes sё tyre.
14- Çdo musliman duhet të ketë kujdes qё ta ruajё agjёrimin e tij nga veprimet qё e prishin ose ia ulin vlerёn atij, duke ruajtur sidomos dёgjimin, shikimin dhe gjuhёn e tij nga haramet, në mënyrë qё tё fitojë çlirimin nga zjarri i Xhehenemit.
15- Agjёruesit duhet t’i shtojnё sa më tepër lutjet, sepse shpresohet më shumë qё lutjet e tyre tё pranohen nga Allahu i Madhëruar.
[1] Buhariu (1800) dhe Muslimi (1079).
[2] Ky transmetim ёshtё i Tirmidhiut (682) dhe Ibn Maxhes (1642). E ka saktёsuar Ibn Huzejmeh (1883) dhe Ibn Hibbani (3453). Hakimi ka thёnё se plotëson kushtet e Buhariut dhe Muslimit (1/582). Edhe Albani e quan hadith të saktë nё sahih Et tirmidhi.
[3] Hashijetus-sindi ala sunen En-nesai (4/130).
[4] Ky ёshtё transmetimi i Nesaiut (4/129), Ahmedit (2/230) dhe Abd Ibn Humejd (1429).
[5] Ky ёshtё transmetimi i Ahmedit (2/254) dhe i Taberaniut nё Evsat (6/257) me zinxhir tё saktё.
[6] Ibn Maxheh (1643). Albani nё sahih ibn Maxheh ka thënë se është hasenun sahih (i mirё –i saktё).
[7]Shiko:Shpjegimi i Ibn Batta (l 4/20) dhe El MufhiM (3/163).
[8] DhekhijretuL Ukba (20/255).
[9] Burimi i mёsipёrm.
[10]Shiko: Fetava shejkh El islam (5/131-474).
[11] Dhekhijretul Ukba (20/235).
Titulli i Librit: Mësime të zgjedhura për ramazanin
Autori: Ibrahim Ibn Muhamed el Hukajl
©xhamiambret.com