Moti i keq godet Kolonjën fshatra të izoluar dhe pa energji elektrike

Facebook
WhatsApp
Telegram
Email

Reshjet dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme të shumta në zonën e Kolonjës, ku disa fshatra përballen me vështirësi të mëdha në qarkullim dhe mungesë të energjisë elektrike.

Ndër fshatrat më të prekura janë Kurtës, Selenicë e Pishës, Qesarakë, Kaltanj, Blush, Psar i Zi dhe Orgockë, ku qarkullimi është bërë i vështirë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. Zona e Çlirimit, gjithashtu, është ndër më të goditurat.

Mungesa e energjisë elektrike është një tjetër problem që ka prekur disa fshatra, përfshirë Radanj, Germenj, Vrepskë, Sotirë dhe Podë në Leskovik, si dhe Mbreshtan në zonën e Ersekës. Për shkak të erës së fortë dhe errësirës, OSSHE ka njoftuar se ndërhyrjet për riparimin e defekteve do të fillojnë nesër.

Bashkia Kolonjë ka bërë të ditur se ekipet e saj janë angazhuar në terren gjatë gjithë kohës për të ndihmuar banorët dhe për të zgjidhur problemet e shkaktuara nga moti. Disa udhëtarë të bllokuar janë ndihmuar të dalin nga situata e vështirë.

Autoritetet lokale apelojnë për kujdes të shtuar dhe për ndjekjen e udhëzimeve, ndërsa punohet për rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.

Scroll to Top