“Ndërhyrje skandaloze!” – Gjykata Kushtetuese përplaset me Ramën pas debatit për rritjen e pagave të gjyqtarëve

Jil
Jil
2 Min Read

Tiranë, 12 qershor 2025 – Gjykata Kushtetuese ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së fortë të kryeministrit Edi Rama mbi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për rritjen e pagës me 700 euro. Institucioni më i lartë kushtetues thekson se është i pavarur dhe nuk ndikohet nga asnjë pushtet tjetër, ndërsa cilëson si të papranueshme çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin e saj.

Në një deklaratë për mediat, Kushtetuesja shprehet se, ndonëse vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, çdo formë ndikimi, qoftë edhe në dukje, është në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve.

Reagimi i gjykatës vjen një ditë pas postimit të kryeministrit Rama në platformën X, ku e cilësoi kërkesën e Unionit për rritje page si “praktikë unikale” dhe “abuzim të pastër”, duke e konsideruar vendimin e Gjykatës për të shqyrtuar kërkesën si një ndërhyrje të papranueshme në kompetencat e ekzekutivit.

“Kjo është një praktikë unikale, e padëgjuar dhe e panjohur në historinë e shteteve – që gjyqtarët t’ia caktojnë vetes pagat përmes gjykatës – por që ka ndodhur në Shqipëri. Kjo ndërhyrje skandaloze e gjyqësorit do të përballet me kundërshtimin e qeverisë,” deklaroi Rama.

Në këtë debat është përfshirë edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se gjyqtarët shqiptarë marrin pagat më të larta në Ballkan dhe se kërkesa e tyre për rritje të mëtejshme është e pakuptimtë dhe rrit vetëm “oreksin për privilegje”.

“Prokurorët dhe gjykatësit në Shqipëri paguhen më shumë se kolegët e tyre në rajon. Nuk ka gjë më absurde. Ryshfeti është kthyer në një fenomen masiv,” deklaroi Berisha.

Aktualisht, kërkesa për rritjen e pagës së gjyqtarëve me 700 euro është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa debati ka ndezur një përplasje institucionale mes ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, me pasoja të mundshme për raportin ndërmjet pushteteve në vend.

Share This Article
ByJil
Follow:
JiL.al | Informohu – Frymëzohu – Jeto i Lumtur Plaftorma JiL.al ka si qëllim edukimin, frymëzimin dhe motivimin e lexuesve tanë përmes publikimeve të përzgjedhura, thënie, fragmente, poezi, histori suksesi dhe jo vetëm. Gjithashtu të rejat më të fundit nga aktualiteti, politika, showbizi, vendi, rajoni dhe bota. Për Reklamim të Biznesit tuaj dhe bashkëpunime na Kontaktoni: Email: jetoilumtur.al@gmail.com📩 Facebook: JiL.Albania Instagram: jil.albania