Ndezi zjarr për të djegur mbeturinat dhe për shkak të erës së fortë zjarri u përhap duke djegur disa pemë ulliri dhe duke rrezikuar 5 banesa, identifikohet dhe arrestohet 59-vjeçari. Ditën e djeshme, rreth orës 12:40, është marrë njoftim se kishte rënë zjarr në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shkozës” dhe flakët po përhapeshin me shpejtësi.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shkuar menjëherë në vendin ku kishte rënë zjarr, së bashku me shërbimet zjarrfikëse. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u arrestua autori i dyshuar i zjarrvënies, shtetasi M. Rr., 59 vjeç, banues në fshatin Kllojkë, Tiranë. Zjarri që dyshohet se ka ndezur ky shtetas është përhapur në një sipërfaqe rreth 5000 m2, ka djegur disa pemë ulliri dhe ka rrezikuar 5 banesa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për vepën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për qytetarët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin, si dhe i fton ata, që të denoncojnë në numrin 112, për çdo rast të tillë.